E drejta për arsimim

Faqja “E drejta për arsimim”, që po ju paraqesim është produkt i realizimit të projektit me të njëjtin emër zbatuar nga Qendra Europiane dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) Shqipëri. Kjo faqe ka pasuruar platformën www.tedrejtatemia.al duke mundësuar më shumë informacion, për studentët, të rinjtë dhe profesionistë të ndryshëm dhe punonjës të administratës publike në nivel qëndror dhe vendor, mbi liritë dhe të drejtat themelore. Dy videot, që po ju paraqesim janë një përmbledhje e manualit “E drejta për arsimim”, i cili paraqet kuadrin historik, politik dhe ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar, që rregullon të drejtën e edukimit në vend.

Videot janë të organizuara në formën e dy leksioneve, ku e para ofron informacion mbi arsimin parauniversitar dhe video e dytë mbi arsimin universitar. Qendra Europiane dhe KAS, përmes kësaj faqeje synojnë të arrijnë një numër sa më të lartë përdoruesish në radhët e profesionistëve, punonjësve të administratës publike qendrore dhe vendore, studentëve të së drejtës dhe shkencave shoqërore, si edhe qytetarëve. Këto leksione online iu drejtohen të gjithë atyre përdoruesve, që synojnë të marrin një informacion sa më të përditësuar për të drejtën për arsimim në nivelin parauniversitar dhe universitar. Këto realitete nuk mund të kuptohen të plota pa iu referuar zhvillimeve normative dhe praktikës në kuadër të mekanizmave kombëtare dhe ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Rezultati final i këtij projekti synon të përmirësojë njohuritë dhe kapacitetet e një serie përdoruesish në lidhje me një të drejtë e cila është thelbësore për fuqizimin e individit me qëllim kërkimin dhe realizimin e të drejtave të tjera të njeriut.

Qendra Europiane

Qendra Europiane është një organizatë jo-fitimprurëse e pavarur, e themeluar në qershor 1999, e cila e shtrin aktivitetin e saj në të gjithë Shqipërinë. Misioni i Qendrës është të kontribuojë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, me një fokus të veçantë në standardet e të drejtave të njeriut, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qendra zhvillon aktivitetin e saj në 4 shtylla kryesore: Të drejtat e njeriut, Shteti i së drejtës, Integrimi Europian si dhe Demokracia e qeverisja e mirë.
Qendra kujdeset që në implementimin e projekteve të saj të përfshijë grupe të marxhinalizuara si: fëmijë, gra, persona me aftësi të kufizuara, komunitetin Rom dhe Egjiptian dhe persona me pamundësi të tjera, si dhe të përfshijë gjeografikisht të gjithë qytetet e njësitë administrative të Shqipërisë.

FONDACIONI KONRAD ADENAUER

Liria, drejtësia dhe solidariteti janë principet që orientojnë punën e Fondacionit-Konrad- Adenauer (KAS). KAS është një fondacion politik, i cili i qëndron pranë Unionit Kristian- Demokrat të Gjermanisë. Konrad Adenauer (1876-1967), si bashkëthemelues i Unionit Kristian-Demokrat dhe si kancelar i parë i Republikës Federale Gjermane, bashkoi në një traditat kristiane, sociale, konservative me ato liberale. Emri i tij është simbol per rindërtimin demokratik të Gjermanisë, për pozicionimin e politikave të saj të jashtme në një bashkësi vlerash transatlantike, për vizionin e një Europe të bashkuar dhe për orientimin ndaj ekonomisë sociale të tregut. Trashëgimia e tij shpirtërore është për ne, detyrë dhe zotim njëkohësisht.
Fondacioni „Konrad Adenauer“-Zyra për Shqipërinë, vë në jetë projekte me parlamentarë, akademikë, njerëz dhe aktorë të shtetit të së drejtës, për të arritur kësisoj përmbushjen e kushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

trajnim online

Modulet