Rreth projektit

Mbrojtja nga diskriminimi dhe barazia gjinore janë kushte thelbësore në një shoqëri demokratike, si dhe parakushte për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Çdo qytetar shqiptar duhet të gëzojë të drejta të barabarta dhe t’i mundësohet realizimi i këtyre të drejtave në të gjitha sferat e jetës. Pavarësisht se Shqipëria ka punuar për përmirësimin e situatës lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi dhe barazinë gjinore të grave dhe vajzave në shoqëri, ka ende shumë rrugë përpara për të arritur standardet ndërkombëtare në këtë aspekt.

Në këtë kuadër, Qendra Europiane me mbështetjen e Fondit Kanadez për Nisma Lokale (CFLI) ka dizajnuar dhe lançuar platformën www.tedrejtatemia.al. Kjo platformë e mësimit online është pjesë e projektit “Të drejtat e mia! – Përmirësimi i njohurive mbi barazinë gjinore nëpërmjet internetit”, i cili ka si qëllim të mbështesë luftën kundër diskriminimit, me një fokus të veçantë tek barazia gjinore, duke përmirësuar njohuritë e qytetarëve shqiptarë mbi të drejtën.

Në kuadër të projektit, Qendra ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me institucionin e Avokatit të Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për pjesëmarrjen në sesionet trajnuese si dhe për hostimin e kësaj platforme në web-et përkatëse.

Platforma e trajnimit - “tedrejtatemia.al” - përmban 4 module trajnimi të aksesueshmeonline, mbi temat: çfarë është diskriminimi dhe në çfarë formash shfaqet ai, diskriminimi për shkak të racës, gjuhës, fesë, ose përkatësisë në një grup të veçantë, të drejtat e grupeve të paavantazhuara si personat me aftësi të kufizuara, të drejtat e komunitetit LGBTI, të drejtat e komunitetit Rom; diskriminimi në administratën publike dhe “bilbil-fryrësit” (whistle-blowers). Gjithashtu, platforma përmban dhe një modul dedikuar barazisë gjinore, si dhe rasteve konkrete të trajtuara nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri, si institucioni i dedikuar për trajtimin e ankesave për diskriminim, që vijnë nga qytetarët. Të gjithë përdoruesit duhet të regjistrohen dhe të ndjekin të 4 modulet e trajnimit. Në përfundim të tyre ata do t`i nënshtrohen një testi, pas së cilit do të pajisen me certifikatë në varësit të nivelit të njohurive të arritura.

Qendra Europiane

Qendra Europiane është një organizatë jo-fitimprurëse e pavarur, e themeluar në qershor 1999, e cila e shtrin aktivitetin e saj në të gjithë Shqipërinë. Misioni i Qendrës është të kontribuojë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, me një fokus të veçantë në standardet e të drejtave të njeriut, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qendra zhvillon aktivitetin e saj në 4 shtylla kryesore: Të drejtat e njeriut, Shteti i së drejtës, Integrimi Europian si dhe Demokracia e qeverisja e mirë.

Qendra kujdeset që në implementimin e projekteve të saj të përfshijë grupe të marxhinalizuara si: fëmijë, gra, persona me aftësi të kufizuara, komunitetin Rom dhe Egjiptian dhe persona me pamundësi të tjera, si dhe të përfshijë gjeografikisht të gjithë qytetet e njësitë administrative të Shqipërisë.

Fondi Kanadez për Nisma Lokale

Fondi Kanadez për Nisma Lokale (CFLI) është një fond unik, për vetë faktin se shumica e projekteve hartohen dhe zbatohen nga organizata të vogla, lokale të shoqërisë civile. Këto organizata janë në dijeni të nevojave dhe prioriteteve lokale dhe janë në gjendje dhe të gatshme për t’iu përgjigjur atyre. Kjo rrit ndikimin e përgjithshëm të projekteve dhe forcon angazhimin në problematika të rëndësishme lidhur me prosperitetin dhe mireqënien e komuniteteve lokale.
Fondi Kanadez për Nisma Lokale (CFLI) mbështet rreth 600 projekte çdo vit. Këtu përfshihen një sërë iniciativash që nga trajnimi i monitoruesve të zgjedhjeve lokale, tek përmirësimi i rezistencës së komuniteteve ndaj efekteve të ndryshimeve klimaterike, deri tek mbështetja e përfshirjes së grave në negociatat lokale për paqe.
Duke mbështetur grupet lokale të cilat ndoshta nuk mund të përfitojnë financime nga donatorë të mëdhenj, CFLI ndihmon organizatat lokale të shoqërisë civile të lulëzojnë dhe të kenë sukses.

Avokati i Popullit

Avokati i Popullit është një institucion kushtetues, i cili mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai ka si mision të tij parandalimin e konflikteve të mundshme midis administratës publike dhe individit. Avokati i Popullit vepron në bazë të ankesës apo kërkesës së paraqitur pranë tij. Ai vepron edhe me nismën e vet, për raste të veçanta, të bëra publike, por gjithmonë duhet të marrë më vonë pëlqimin e të interesuarit ose të dëmtuarit. Institucioni i Avokatit të Popullit e shtrin aktivitetin e tij në shumë fusha, duke pasur në fokus të veçantë edhe gratë, si grup i marxhinalizuar i shoqërisë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është një institucion i krijuar me ligj në vitin 2010.Veprimtaria e Komisionerit realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga administrata publike, por edhe nga subjektet private. Gjithashtu, Komisioneri realizon hetime administrative pas marrjes së informacionit të besueshëm për shkelje të këtij ligji, dhe bën sondazhe dhe monitorime për nivelin e zbatimit të ligjit. Procedurat e hetimit administrativ pasohen nga rekomandime dhe në rast të moszbatimit të tyre vendosen edhe sanksione sipas parashikimeve ligjore. Te gjitha këto shoqërohen me aktivitete që synojnë informimin dhe sensibilizimin e komunitetit, organeve të administratës publike dhe subjekteve private për të nxitur parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit.